Site icon Telegrafi

Von Cramon tregon se si mund të votojnë shtetet mosnjohëse të Kosovës në Këshill të Evropës

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, është deklaruar lidhur me mundësinë që shtetet mosnjohëse të Kosovës të votojnë për pranimin e saj në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë të martën se Kosova ka siguruar votat e mjaftueshme si dhe interpretimin ligjor që sqaron se nuk ka pengesa që Kosova të anëtarësohet në KiE.

Teksa e ka komentuar këtë deklaratë, politologu Jasmin Mujanoviq ka thënë se është interesante të shihet se si do të votojnë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, por edhe Ukraina dhe Bosnja.

“Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, thotë se Qeveria ka siguruar mjaftueshëm vota që të pranohet në Këshillin e Evropës. Do të ishte arritje e madhe diplomatike për Prishtinën, nëse është e saktë”.

“Nëse ky zhvillim rezulton në votim formal në Këshill, atëherë do të ishte veçanërisht interesant për të parë si votojnë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, por edhe Ukraina e Bosnja”, ka shkruar Mujanoviq në Twitter.

E Von Cramon është përgjigjur për këtë mundësi.

“Shumica e tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk do të marrin pjesë në votim apo në rastin më të keq do të votojnë kundër. Kjo është së paku ajo që kam dëgjuar”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Ndryshe, sipas ish-drejtorit të përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Michael Leigh, përgjigjja e Bashkimit Evropian ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në bllok, do të ndikohet nga pesë shtetet mosnjohëse.

Në këtë intervistë dhënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Leigh nga Fondi Marshall gjerman, po ashtu shpjegon se cilët janë hapat e Kosovës drejt BE-së dhe pse rasti i Kosovës është më i komplikuar.

“Mund ta kuptoj plotësisht padurimin e Kosovës, marrë parasysh kohën e gjatë që kur BE-ja ka premtuar anëtarësimin potencial për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pra, mendoj se kjo është vazhdimësi e aplikimit të Kosovës, pasi paraprakisht aplikoi në Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, siç e përmendët, janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet, dhe kjo normalisht se do të ndikojë në përgjigjen e Bashkimit Evropian lidhur me këtë aplikim”, ka thënë Leigh.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version