Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon i ka reaguar shefit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell në lidhje me deklaratën e tij për operacionin e sotëm në veri të Kosovës.
Ajo ka thënë se lehtësimi i dialogut Kosovë-Serbi nga ana e BE-së, nuk ka të bëj me operacione ditore të policisë, duke shtuar se shtetet që bëjnë punën e tyre duhet ta kenë respektin e plotë të BE-së.
Von Cramon i ka kërkuar Borrellit të kritikojë vendet ku sundimi i ligjit nuk implementohet dhe shtoi se BE-ja duhet të mbështes shtetet që luftojnë krimin e korrupsionin.
“Ju lutem kritikoni vendet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet të mbështes vendet që luftojnë krimin e organizuar e korrupsionin. Institucionet shtetërore që bëjnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Lehtësimi i dialogut nga ana e BE-së nuk ka të bëjë me operacione ditore të policisë”, shkruan në Twitter Von Cramon.
Borrell përmes një reagimi në Twitter ka shkruar se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.
“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.
Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta të shqiptarëve në profilin e Borrell-it në Twitter.
Komentues të shumtë e kanë pyetur se përse duhet të dialogohet në Bruksel luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Reagim ka pasur edhe nga Luan Dalipi shef i stafit të kryeministrit. Dalipi ka kërkuar nga Borrell që të mos e protretizoj dhunën e nxitur nga huliganët serb si problem ndëretnik, shkruan Telegrafi.
“I dashur z.Borrell, faleminderit për shqetësimin tuaj. Është e rëndësishme që të mos portretizohet dhuna fatkeqe e nxitur nga disa huliganë të orkestuar nga Beogradi si një problem ndëretnik midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë”, ka shkruar Dalipi. /Telegrafi/
Please criticize countries where #RuleOfLaw is not implemented. #EU should support countries fighting #OrganizedCrime & #corruption. State institutions doing their job deserve our full respect. #EU-facilitated Dialogue is not about daily police operations. https://t.co/ZooZNU01Nv
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) October 13, 2021