Site icon Telegrafi

Volkswagenit i bien shitjet me 25% në SHBA

Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) ka ulur gradën e kompanisë Volkswagen. Vlerësimi i kreditit për kompaninë bie në BBB+ nga A-, pasi prodhuesi raportoi se skandali i emetimit ka goditur shitjet në Shtetet e Bashkuara.

Prodhuesi gjerman i makinave deklaron se shitjet për muajin nëntor në SHBA ranë me 25 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kompania fajësoi ngrirjen e porosive për makinat me naftë që qeveria thotë se kanë thyer testet e emetimit.

Grupi Volkswagen shiti vetëm 24 mijë automobila gjatë muajit të kaluar krahasuar me thuajse 32 mijë në vitin e kaluar. Standard & Poor’s njoftoi se skandali i emetimit ka ndikuar në uljen e vlerësimit. Agjencia deklaron se kompania do të ketë ndikime të vazhdueshme negative të kreditit. Shtetet e Bashkuara janë një treg relativisht i vogël për Volkswagen.

Në të gjithë botën, grupi ka shitur 490.000 makina për muajin tetor, 5 për qind më pak se viti i kaluar.

Volkswagen deklaroi në një komunikatë për mediat se rënia e mprehtë e shitjeve reflekton 2 ngrirje vullnetare të shitjeve. Njëra është imponuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe tjetra nga autoritetet në Kaliforni. Që kur skandali u zbulua, kompania ka bërë përpjekje për të nxitur shitjet. Grupi ka lehtësuar incentivat për tregtarët dhe thuajse ka dyfishuar uljen e çmimeve për blerësit. /Telegrafi/

Exit mobile version