Volkswagen arriti një marrëveshje me punëtorët për të shkurtuar 30 mijë vende pune në nivel global, nga ku 23 mijë vetëm në Gjermani, në mënyrë që të kursejë 3.7 miliardë euro.
Plani i kursimeve vjen në një kohë që kompania vazhdon të përballet me probleme serioze financiare si pasojë e skandalit të “Dieselgate”. Nga ana tjetër, prodhuesi gjerman i makinave planifikon të investojë në makinat elektrike, si mundësi e mirë biznesi por edhe si një mundësi reale për të eliminuar imazhin e keq të krijuar si pasojë e skandalit për emetimin e gazrave. 30 mijë vendet e punës që do të shkurtohen përkthehen në 5% të të gjithë forcës punëtore të kompanisë në nivel global.
Marrëveshja parashikon që nuk do të ketë shkurtime të forcuara deri në vitin 2025. Negociatat zgjasin prej muajsh. Marrëveshja e punës është kritike për Volkswagen dhe përpjekjet e kompanisë për tu ringritur pas krizës më të madhe në histori.
Aksionet e kompanisë ranë me 1.4% në orët e para të sesionit tregtar të së Premtes, duke e çuar rënien që prej shatorit të vitit 2015, kur edhe u publikua skandali, në 26%.
Shtëpia prodhuese numëron 624 mijë punëtorë në të gjithë globin, dhe projekton të punësojë 9000 të tjerë për projektet e reja të makinave elektrike. Shkurtimi i 30 mijë vendeve të punës ndërkohë, do të vijë nëpërmjet pensionit të parakohshëm dhe moszëvendësimit të punonjësve që largohen. /Telegrafi/