Volkswagen Polo do të mbushë 50vjet, shumë për një veturë që ka marrë me kalimin e viteve forma të ndryshme, shkruan Motor1.
Që nga lansimi në vitin 1975, është shitur si “hatchback”, limuzinë apo “crossover” – mbani në mend Polo Cross?
Këtë vit, kompania gjermane që ka fabrikën në Brazil është duke e shqyrtuar idenë për një version “më të egër dhe më të ngritur”, transmeton Telegrafi.
Fjala është për Polo Robust, një veturë supermini e dedikuar nga inxhinierët enkas për fermerët. VW Brazil pretendon se vetura është zhvilluar dhe testuar për klientët e segmentit bujqësor.
Duke marrë parasysh se ata lëvizin nëpër terrene më të ashpra, vetura është më e ngritur paksa sesa versionet bazike.
Kabina është e veshur me materiale të veçanta që e bën më të lehtë pastrimin, duke marrë parasysh se fermerët shumicën e rasteve janë me rroba të punës.
Por kur bëhet fjalë për ngarkesa të mëdha, kjo veturë nuk do ta ketë këtë përparësi pasi ka një motor të vogël 1 litërsh me benzinë, që prodhon vetëm 84 kuaj-fuqi.
Fuqia motorike bartet në rrotat e përparme falë ndërruesit manual me pesë shpejtësi. /Telegrafi/