Site icon Telegrafi

Volkswagen po vjen me një projekt të ri

Volkswagen do të bashkëpunojë me CATL për zhvillimin e baterive të lira – dhe do t’u ofrojë drejtuesve të veturave elektrike mundësinë për të kaluar nga një bateri bosh në një të mbushur brenda pak minutash.

Volkswagen ka zgjeruar bashkëpunimin me CATL – prodhuesin më të madh në botë të baterive për automobila elektrik. Objektivi tani është zhvillimi i baterive më të lira, gjë që do të ulë çmimet e automjeteve të reja elektrike dhe do t’i bëjë ato më tërheqëse dhe më të përballueshme për shumicën e njerëzve.

Po aq interesante është edhe fakti që marrëveshja mes dy kompanive do të përfshijë plane për zhvillimin e teknologjisë së ndërrimit të baterive, një detaj që është theksuar në shumë media ndërkombëtare të automobilizmit.

Në Kinë, vendin e origjinës së CATL, teknologjia e ndërrimit të baterive është e përhapur dhe shumë e popullarizuar, pasi u mundëson drejtuesve të automjeteve të kalojnë nga një bateri bosh në një të mbushur brenda pak minutash.

Kjo do të thotë që mund të përfitoni një bateri plotësisht të mbushur dhe një autonomi të madhe në më pak kohë sesa me karikimin e shpejtë.

Fillimisht, kjo teknologji do të ndihmojë Volkswagenin të forcojë pozicionin e tij në Kinë, ku konsumatorët e vlerësojnë shumë këtë shërbim. /Telegrafi/

Exit mobile version