Drejtori ekzekutiv i Volkswagen, Thomas Schafer, ka zbuluar se modelet ikonike si Scirocco dhe Beetle mund të rikthehen, por vetëm nëse ruajnë DNK-në e strukturës së tyre origjinale.
Ai e diferencoi këtë qasje nga ajo e Ford-it dhe Opel-it, të cilët kanë kthyer emrat e njohur Capri dhe Frontera në SUV elektrike.
“Scirocco është një model i veçantë. Mund të përmend disa modele të tjera, por nëse një model i ri nuk pasqyron ADN-në e origjinalit, atëherë është më mirë t’i japim një emër të ri dhe të krijojmë diçka tjetër”, tha Schafer.
Ai gjithashtu shtoi se Volkswagen nuk dëshiron të vendosë emra legjendarë në makina që nuk përfaqësojnë trashëgiminë e tyre.
“Nëse është GTI, duhet të jetë GTI. Ky është modeli ynë dhe duhet të mbetet i vërtetë ndaj rrënjëve të tij”, theksoi ai.
Nëse Scirocco kthehet në treg, ai do të mbetet një kupé sportive dhe nuk do të shndërrohet në SUV apo crossover.
Scirocco u tërhoq nga tregu në vitin 2017, ndërsa gjenerata e tretë përdorte të njëjtën platformë si Golf 6. Ende nuk është e qartë nëse Volkswagen do ta rikthejë Scirocco-n, por ka spekulime për një veturë sportive elektrike me stil retro. Nëse kjo ndodh, ajo mund të përdorë të njëjtën platformë si Porsche 718 Boxster dhe 718 Cayman Electric.
Për momentin, prioriteti i Volkswagenit është konsolidimi financiar, por rikthimi i Scirocco-s mbetet një mundësi e hapur. /Telegrafi/