Në këtë turne, i cili zgjati dy ditë, morën pjesë katër ekipe: Shqiponja e Gjakovës, Prishtina, Çairi nga Maqedonia dhe Nikshiqi nga Mali i Zi.
Në ditën e parë të grave, Shqiponja e mposhti ekipin e Çairit, ndërkohë skuadra e Prishtinës e mundi ekipin e Nikshiqit.
Në finalen e këtij turneu u takuan skuadra nikoqire, Shqiponja dhe ekipi i Prishtinës. Ndeshja nisi me rivalitet, por vashat prishtinase shumë shpejt morën iniciativën dhe me mbrojtje të ngjeshur e me kundërsulme të shpejta fillimisht kaluan në epërsi, e pastaj sa vinin dhe e shtonin atë. Me rezultat 13:8 në të mirë të kryeqytetaseve përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë hendbollistet e Prishtinës luajtën edhe më mirë, ndaj në fund triumfuan me lehtësi, duke shënuar rezultatin përfundimtar 32:16, transmeton ‘rtk’.
Në këtë përballje lojtaret më efikase ishin Burneta Rama dhe Mimoza Sefedini që shënuan nga 8 gola, ndërsa tek Shqiponja u veçua Mane Ibrahimi me 6 gola. Vendin e tretë e zuri ekipi i Nikshiqit, pasi që malazezezet e mposhtën për këtë pozitë skuadrën e Çairit të Shkupit me rezultat 36:11.
Pas përfundimit të ndeshjes, organizatori fillimisht shpalli individet më të dalluara të këtij turneu. Kësisoj, portiere më e mirë u shpall Njomza Sefedini e KH ‘Prishtina’.
Golashënuesja më e suksesshme ishte malazezja Anxhela Stojanoviq me gjithsej 22 gola, ndërkaq epiteti i lojtares më të dalluar të këtij turneu i ka takuar hendbollistes prishtinase Burneta Rama. /KP/Telegrafi/