Presidenti i Federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokri nëpërmjet një shkrese i është ankuar presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter në lidhje me ndalesën që i kishin bërë autoritetet ruse, mesfushorit të St gallenit, Kristian Nushi.
Nushi nuk kishte mundur të ndihmonte ekipin në ndeshjen e kthimit të Europa League, për shkak se atij nuk i është lejuar hyrja në shtetin rus, pasi që ky vend nuk e njeh shtetin dhe dokumentet e udhëtimit të Kosovës.
“FFK-ja proteston në FIFA në lidhje me diskriminimin që ka përjetuar futbollisti, Kristian Nushi kur i është refuzuar viza për të luajtur me ekipin e tij në ndeshjen e kthimit të Europa League ndaj Spartakut të Moskës. Para dy javësh ka ndodhur një rast identik, me dy futbollist nga Kosova, kur ata është dashur të marrin shtetësinë shqiptare për të tejkaluar këtë problem”, thuhet në shkresën e Vokrrit.
Në letër e sipër përmendet fakti se askush nuk ka reaguar ndaj rastit të Nushit, deri sa ka pasur ankesa ndaj therrjes së shtazëve para ndeshjeve dhe theksohen rastet kur sportistë kosovar (pingpong e xhudo) janë lejuar të marrin pjesë në gara ndërkombëtare në Rusi.
Në fund kërkohet që me një ndërmjetësim të FIFA-së të zgjidhen kontestet e tilla.
Nushi edhe në fazën grupore do të ketë probleme të hyjë në Rusi, pasi që ekipi i St Gallenit do të ndeshet me Kuban Krasnodar nga ky shtet. /Sporti1/Telegrafi/