Telegrafi

Vokrri pranon se Zvicra pengoi antarësimin në UEFA

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk e pati të lehtë pranimin në UEFA, sidomos pasi në shqyrtimin për pranim doli kundër edhe përfaqësuesi i Zvicrës.

I deleguari i Zvicrës në UEFA dje kishte kërkuar sqarime për rastin e Kosovës se çfarë do të bëhej me lojtarët që janë me prejardhje nga Kosova dhe që luajnë për shtete të tjera, dhe, sipas Vokrrit, kjo ka pasur ndikim negativ në federatat tjera që votuan.
FFK u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s me minimum votash prej 28. Vokrri thotë se ka pritur 30 deri në 33 vota pro dhe se ka qenë i bindur se Kosova do të pranohej.

“Kemi pas befasi sidomos të disa shteteve mike. Një votim i tillë nuk ka pas ndonjë rrezik, ndoshta është rezultat i ngushtë, por nuk ka pas rrezik që të përfundojë ndryshe”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së. “Kërkesa e tyre flet faktin se ishte diçka e planifikuar që të dëmtohemi, por nuk ia arritën qëllimin. Mendoj se nuk ishte e mirë nga ana e tyre, por neve na interesonte vetëm rezultati final”.

“Kemi pritur 30-33 vota, por është e drejtë e tyre të votojnë si e mendojnë. Mendoj se pikërisht kërkesa e Zvicrës ndikoi negativisht në vetë kongresin dhe në vetë disa kuvendarë të shteteve të ndryshme. Sigurisht që Zvicra si një shtet me traditë në UEFA, përmes miqve të tyre është munduar të bëjë obstruksionin e duhur për neve”, ka thënë Vokrri.