Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ishte i ftuar në Asamblenë e Zakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në një intervistë ekskluzive për Sport News, numri 1 i FFK foli për cështjet më të nxehta aktualisht në futbollin kosovar, si ajo e infrastrukturës, përfaqësueses në eliminatore, por dhe marrëdhënieve me FSHF.
Sezonin e kaluar, klubet kosovare për shkak të mos plotësimit të kushteve në infrastrukturë por dhe organizim nuk mundën të merrnin pjesë në garat evropiane ndaj një zgjidhje e shpejtë për sezonin e ri europian është prioritet dhe i vetë Vokrrit në këtë moment, mbi të gjitha sa i përket ndihmës ndaj klubeve në infrastrukturë.
Ndeshja e radhës për Kosovën për eliminatoret e Botërorit rus është me Islandën në “Loro Borici” dhe Vokrri tregohet realist kur e cilëson sfidë të vështirë pavarësisht se shpreson në marrjen e një rezultati pozitiv.
Një çështje e nxehtë është dhe ajo e krijuar dhe e fryrë artificialisht në rrjetet sociale sa i përket marrëdhënieve mes FSHF dhe FFK mbi të gjitha në menaxhimin e talenteve.
Një temë, ku Vokrri e bën të qartë se nuk ekziston.
Në fund, presidenti i FFK Vokrri vlerësoi dhe diskutimet e ngritura në Asamblenë e Zakonshme të FSHF, duke i cilësuar debatet si konstruktive dhe të frytshme.