Kështu mendon edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Kreu i FFK-së i pyetur nga Arena, ka theksuar që ky Kampionat Botëror ka qenë i paparashikuar në shumë raste dhe asnjëra skuadër nuk është favorite. “Tani kanë mbetur vetëm edhe katër skuadra dhe të gjitha janë të forta, andaj është vështirë me e parashikuar”, u shpreh fillimisht Fadil Vokrri për Arenën.
Tutje, legjenda e futbollit kosovar potencoi se pak më favorit e sheh skuadrën e Gjermanisë, pasi thotë që është një tifoz i saj tash e sa kohë dhe se Brazili është i mangët. “Duke e ditur që Brazili është i hendikepuar me lëndime, Gjermaninë e shoh në finale dhe si favoritë për ta fituar trofeun. Kjo pasi që unë edhe jam simpatizant i Gjermanisë. Por, prapë së prapë mendoj që nuk ka favorit, sepse Brazili pavarësisht lëndimeve ka një ekip të mirë”, nënvizoi i pari i futbollit kosovar. /Arena/Telegrafi/