Është e njohur për të gjithë ju si një artiste e re në skenë e tregun muzikor shqiptar, me vokal të veçantë e po ashtu me paraqitje të tillë në videoklipet që ka realizuar deri më tani.
Bëhet fjalë për këngëtaren Alketa Turkaj, e cila në estradë identifikohet më shumë në zhanrin pop.
Karriera e saj nisi në SBS Entertainment, duke vazhduar më pas me këngë solo e bashkëpunime që u shndërruan në hite dhe jo vetëm.
E shfaqur në industrinë e muzikës prej më shumë se një viti e në distancë nga mediat shqiptare, Alketa ka arritur të bëhet një nga emrat më të admiruar nga publiku.
Ajo në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka rrëfyer më shumë për fillimet në muzikë, projektet e krijuara e gjithashtu edhe për arritjet që ka bërë.
E njëjta flet edhe për planet e së ardhmes, si e sheh estradën nga këndvështrimi i saj, e mes tjerash edhe për prurjet muzikore që do t’i sjellë në vijim.
Një emër tani i njohur në estradën shqiptare, por kush është në të vërtetë Alketa?
Hmm, Alketa është kjo që tashmë e njihni edhe ju. Pak a shumë kjo është natyra ime edhe në përditshmëri. Mundohem të jem shume pozitive dhe të jem një person i thjeshtë, e kjo mund të them që ka qenë edhe arsyeja në audienca ka krijuar një pëlqim kundrejt meje. Muzika ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime dhe jam shume e lumtur që tash kam fatin të merrem edhe profesionalisht, duke falënderuar gjithmonë SBS, shtëpinë time që fillimisht ka besuar tek unë dhe patjetër që më ka mirëpritur dhe është padyshim vendi aty ku ndihem më së miri.
Kur ka nisur saktësisht karriera juaj muzikore duke qenë se për audiencën je bërë e njohur në SBS Entertainment?
Ka qenë pikërisht SBS. Si e thash edhe më lartë, ka më pak se një vit që kur ka nisur gjithçka. “Do ti kallim” ishte çelësi i gjithçkaje, duka pasur pastaj një vazhdimësi me projektet që kanë pasuar, që secili prej tyre ka padyshim vendin e vet dhe rëndësinë.
Keni publikuar disa këngë e bashkëpunime që u pritën mirë nga publiku, e mendonit këtë sukses?
Realisht në talentin tim kam besuar gjithmonë, dhe ka qenë diçka që kam punuar jashtëzakonisht shumë bashkë me ekipin e studios dhe menaxherin Jetmir Agaj. A e kam pritur suksesin? Padyshim që po duke punuar me njerëz profesional dhe tejet të përkushtuar në këto projekte një nga një.
Çfarë të bën ndryshe nga artistët e tjerë, me çfarë mendon se karakterizohesh?
Pyetje e vështirë sepse të gjithë artistët mundohen të jenë më ndryshe dhe të dallohen me diçka. Kur jam tek vetja mendoj se vokali është një armë e fortë e imja, jam shumë e lumtur që për këtë po marr edhe shumë komente dhe mesazhe pa fund. Që shfrytëzoj edhe momentin t’i falënderoj të gjithë.
Na tregoni pak më shumë rreth vetes tuaj, çfarë bën jashtë muzikës – si është një ditë e zakonshme e juaja?
Anash muzikës, jeta ime e përditshme është ne rrethin familjar, dhe angazhim rreth shkollimit.
Nëse nuk do të ishe këngëtare, çfarë tjetër? Ke ëndërr ndonjë profesion tjetër?
Përveç këndimit dhe muzikës në përgjithësi, profesioni qe e pëlqej ta bëj është qe të jem një edukatore e mirë.
Duke qenë se je e re në skenë, si e shihni pjesën tjetër të estradës? Çfarë duhet të ishte më ndryshe?
Unë si një vajzë e re në estradë mendoj se çdo person në estradën tonë e ka vendin aty ku është, duke patur parasysh punën dhe përkushtimin që secili e bën në mënyrën e vet.
Cilat janë planet e juaja, çfarë presim nga Alketa këtë vit?
Këtë vit do të ketë projekte që janë të punuara në studion tonë SBS Ent, janë disa projekte ku ka edhe bashkëpunime me artistë tjerë, të cilat besoj që do të pëlqehen për audiencën.
Cili është mesazhi juaj që do e përcillje për lexuesit e Telegrafit, qoftë edhe për fansat e juaj?
Mesazhi që unë si Alketa do ua them është që çdo njeri të punoj per t’i arritur qëllimet e tij pa u ndalur asnjëherë. Fansat dhe përkrahësit e mi i falënderoj për krejt mbështetjen dhe urimet që mi bëjnë, janë të mrekullueshëm. /Telegrafi/