Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës sot kanë kryer stërvitjen e radhës para duelit me Zvicrën.
Por stërvitja e sotme ka qenë më e veçantë, ngase ata pas përfundimit të saj nuk i kanë hequr menjëherë fanellat e tyre sportive, por kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë tifozëve të mbledhur me emocion në stadium.
Shumë prej tyre ishin fëmijë, të cilët kishin ardhur me prindërit e tyre për të ndjekur idhujt e tyre dhe për të pasur një përvojë të paharrueshme. Futbollistët dardanë me dashamirësi e respekt për secilin prej tyre kanë ndarë kohën e nevojshme për të bërë fotografi çasti me fëmijët dhe duke nënshkruar autografe në fanellat dhe topat e tyre, shkruan faqja zyrtare e FFK-së.
Ky moment ishte emocionues për të gjithë, por një surprizë e veçantë ishte mesazhi që futbollistët dardanë morën nga voglushja, Nina, e të cilin në emër të saj e kishte shkruar babai i saj, Albatrit Matoshi, një ish-gazetar sportiv dhe pasionat i madh i Kosovës, për të shprehur admirimin dhe dashurinë e Ninës për futbollistët dardanë.
“Po ju shkruaj në emër të vajzës sime trevjeçare, Nina Matoshi, e cila është një fanse e përkushtuar e juaja dhe e admiron talentin dhe përkushtimin tuaj. Ajo është shumë e re për të shprehur plotësisht admirimin e saj, por ju siguroj se mbështetja e saj për ju nuk ka kufij. Ju nuk jeni vetëm futbollistë; ju jeni frymëzim për brezat e rinj të kombit tonë. Përmes punës dhe vendosmërisë suaj ju keni u keni treguar atyre se ëndrrat mund të realizohen”.
“Mos harroni kurrë: Arritjet e tuaja do të ndezin një shkëndijë shprese në zemrat e tyre, duke u dëshmuar se me besim të palëkundur gjithçka është e mundur. Tashmë e keni treguar shumë herë se mënyra se si ngriheni mbi pritshmëritë dhe nuk dorëzoheni kurrë, duke dhënë zemrën, gjakun dhe djersën tuaj për dashurinë ndaj lojës dhe atdheut – është vërtet e jashtëzakonshme”, ka shkruar ndër të tjera Matoshi në mesazhin për futbollistët dardanë.
Mesazhi i voglushes Nina ishte një shprehje e thjeshtë, por thelbësore e adhurimit të rinisë ndaj këtyre futbollistëve, thuhet në faqen e FFK-së.
Përmes këtij mesazhi futbollistët u inkurajuan që të mos harrojnë ndikimin e tyre në brezat e rinj dhe të vazhdojnë të punojnë me vendosmëri për të ndjekur ëndrrat e tyre. /Telegrafi/