Site icon Telegrafi

Vogëlushi shqiptar që kaloi sigurimin në “Santiago Bernabeu” dhe mori përqafimin dhe fanellën e Kylian Mbappe

Një moment emocionues për një djalosh shqiptar nga Gostivari, i cili realizoi ëndrrën e tij për t’u takuar me idhullin Kylian Mbappe.

Vogëlushi Reis Fejzi, nxënës dhe futbollist pasionant që stërvitet futboll te Qendra Stërvitore ES nga Kamenjani i Tetovës, udhëtoi enkas drejt Madridit (Spanjës) për të ndjekur nga afër ndeshjen Real Madrid-Las Palmas (4-1), e zhvilluar në “Santiago Bernabéu”.

Pas përfundimit të ndeshjes, Reis shfrytëzoi momentin për të “dribluar” sigurimin dhe për t’u afruar pranë yllit francez Kylian Mbappe.

Përpjekja e tij plot guxim u shpërblye me një fanellë dhuratë nga vetë Mbappe, duke i dhuruar vogëlushit një kujtim të paharrueshëm.

Madje, Mbappe sot ishte lojtar i ndeshjes, me dy gola të shënuar ndaj Las Palmas.

Ky moment magjik në Madrid është një shtysë e madhe për rrugëtimin e tij sportiv, pasi Reisi dëshiron të bëhet futbollist me famë botërore. /Telegrafi/

Exit mobile version