Telegrafi

Vogëlushi kalon gardhin dhe futet në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë

Një vogëlush ka arritur të kalojë mëngjesin e sotëm nëpër gardhin rreth Shtëpisë së Bardhë.

Agjentët e shërbimit sekret, të angazhuar në ruajtjen e shtëpisë së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thonë se bëhet fjalë për një fëmijë trevjeçar.

Zëdhënësi Anthony Gugliemi tha për USA Today se agjentët gjetën atë që ai e quajti një vizitor të ri kureshtar në anën veriore të gardhit, i cili është gati katër metra i lartë.

Prindërit e djalit u gjetën shpejt dhe u morën në pyetje për një kohë të shkurtër. Deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për përgjegjësi penale për këtë lëshim.

Përndryshe, mund të dënohet ashpër hyrja në shtëpinë ku jeton aktualisht presidenti amerikan, Joe Biden.

Ata që e bëjnë këtë përballen me një dënim deri në një vit burg, dhe në disa raste deri në 10 vjet nëse personi ka pasur armë ose ka shkaktuar dëmtime fizike, raporton nypost.

Supozohet se kjo është hyrja e parë e suksesshme në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë. Lartësia e rrethojës së kësaj ndërtese është rritur në gati katër metra pas dështimeve të sigurisë. /Telegrafi/