Telegrafi

Vodhi devenë e shtrenjtë për t’ia bërë dhuratë të dashurës për ditëlindje, burri nga Dubai përfundon në pranga – e “tradhtojnë” deklaratat e veta

Policia në Dubai ka arrestuar një mashkull i cili kishte vjedhur një deve të shtrenjtë, me qëllim që t’ia bëjë dhuratë të dashurës për ditëlindje.

Pronarët e devesë së bardhë e kishin raportuar vjedhjen që kishte ndodhur në fermën e tyre, por policia e Dubait nuk arriti që në atë zonë të arrestojë askënd, transmeton Telegrafi.

Disa ditë më vonë, një qytetar raportoi te autoritetet kompetente se në fermën e tij rreth tri kilometra larg vendit ku ka ndodhur vjedhja, është shfaqur një deve që sipas tij kishte humbur rrugën.

Por rrëfimi i tij nuk ishte i njëjtë me atë që ua kishte dhënë disa orë më herët policëve, kështu më vonë pranoi se ishte futur në fermën e fqinjit dhe kishte vjedhur një lloj të rrallë të devesë të cilën planifikonte t’ia dhuronte partneres – e raportimin “për humbjen e rrugës” së devesë e kishte bërë nga frika.

Policia ia ka kthyer devenë pronarëve dhe ka arrestuar të dyshuarin dhe partneren e tij, nën akuzën për vjedhje dhe dhënie të deklaratave të rrejshme. /Telegrafi/