Policia kroate ka arrestuar një 48-vjeçar, i cili dyshohet se ka grabitur disa bankomate, duke vjedhur në total 500 mijë euro.
I dyshuari ishte në arrati që nga viti 2021 dhe për të ishte nisur një kërkim në nivel të Bashkimit Evropian.
Hetimi i cili zgjati disa muaj u krye në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale dhe Njësinë e Policisë Speciale dhe të Ndërhyrjes. Policia zbuloi katër vjedhje të rënda të thyerjes së bankomateve.
U konstatua se i dyshuari po instalonte kamera të fshehta për të marrë informacione për kohën e mbushjes së ATM-ve dhe kodet e hyrjes për hapjen e tyre, shkruan jutarnjilist.
Pasi bankomatet mbusheshin me para, grabitësi shkonte me një biçikletë elektrike drejt ATM-ve. Ato i zhbllokonte me një çelës të bërë posaçërisht dhe vidhte të gjitha paratë.
Pas grabitjes, ai e mbyllte siç duhet bankomatin, dhe më pas largohej drejt lagjes së Zagrebit, Tresnjevka, ku edhe fshihej vitet e fundit.
Gjatë hetimeve njëmujore, policia ka mbledhur prova që tregojnë se i njëjti person ka kryer veprat penale të sipërpërmendura. Ai u arrestua në zonën e Zagrebit dhe u konstatua se ishte në arrati pasi vuante dënimin me gjashtë vjet burg për grabitje të kryera më parë.
Pas përfundimit të hetimeve penale, i dyshuari është dorëzuar në burgun e Zagrebit, ndërsa kundër tij do të parashtrohet kallëzim penal. /Telegrafi/