Site icon Telegrafi

Vodhi 200 mijë dollarë, kërceu nga aeroplani dhe sot për të thuren legjenda – as pas 49 viteve nuk dihet kush është personi që mashtroi FBI-në

Më 24 nëntor të vitit 1971, burri i quajtur D.B. Cooper nën kërcënimin e bombës kishte rrëmbyer një aeroplan me të cilin udhëtoi nga Portland drejt Seattle.

E pasi që në Seattle kishte liruar pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit, kishte urdhëruar pilotët të nisen për në Meksikë, e më pas kishte kërcyer me parashutë nga dera e pasme e aeroplanit me 200 mijë dollarë me vete – duke rënë në një terren malor në Washington, transmeton Telegrafi.

Kurrë më nuk është parë dhe edhe sot konsiderohet si një nga rastet më të mistershme në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ishte vetëm një ditë para festës së “Ditës së Falënderimeve”, ku qytetarët amerikanë vraponin që të grumbullohen me familjarët për ta shijuar darkën.

Njëri nga pasagjerët që kishte blerë biletën në minutën e fundit, ka qenë një burrë që është paraqitur si Dan Cooper, kurse udhëtoi nga Portland drejt Seattle.

Megjithatë pasi ishin ngjitur në ajër me fluturake, Cooper ia kishte dorëzuar një letër me një mesazh stjuardesës së re Florence Schafner. Duke menduar se ai ishte thjesht një burrë i vetmuar që i kërkonte numrin e telefonit, e kishte injoruar – por Cooper e kishte këshilluar që ta shikoj sërish letrën.

“Kam bombë”, shkruante. Cooper, kurse Florencen e urdhëroi që të ulet para tij dhe ngadalë të hapë çantën për t’u bindur se brenda ka vërtetë një bombë.

Ai kishte kërkesa – që aeroplanit të zbret në Seattle ku do ta mbushte fluturaken me karburant – t’i ketë katër parashuta si dhe 200 mijë dollarë.

Pasagjerëve tjerë u është thënë se fluturimi i tyre është shtyrë për shkak të problemeve teknike, ndërsa në fakt aeroplani po fluturonte mbi Paqësor për rreth dy orë derisa është kryer organizimi për mbledhjen e parave.

“Ai nuk ishte fare nervoz, përkundrazi ishte shumë i sjellshëm. Nuk ka qenë i vrazhdë apo i paedukatë”, ka thënë Tina McLow e cila asokohe ishte pjesë e personelit të kabinës.

Cooper kishte porositur pije të cilën e kishte paguar, e me të zbritur aeroplani në pistë, janë sjellë paratë si dhe parashutat. Ekuipazhit dhe pasagjerëve u është thënë të zbresin, e pilotët janë urdhëruar që ta dërgojnë në Meksikë.

Kur ia bënë me dije se nuk mund ta bëjnë këtë pa e mbushur edhe njëherë me derivat fluturaken nëse dëshiron ta dërgojnë në destinacionin e kërkuar – ata erdhën deri te një kompromis – u tha të drejtohen kah Reno në Nevada.

Megjithatë pas gjysmë ore, Cooper ka kërcyer nga aeroplani në një natë me shi. Atë nuk arritën ta vërenin as aeroplanët luftarakë që kishin marrë për detyrë të përcjellin aeroplanin komercial.

Kështu Cooper ka hyrë në histori, kurse emri i tij i vërtetë akoma mbetet i panjohur. Mediat më pas gabimisht e kanë quajtur D.B. Cooper.

Gjithashtu nuk dihet nëse i ka mbijetuar kërcimit, por një shumë e vogël e parave të “tij” i ka gjetur djaloshi Bryan Ingram, 8-vjeç, derisa kishte shkuar për piknik me familjen.

E një dokumentar i ri mundohet të zbulojë se kush mund të jetë i mistershmi Cooper. Dwayne Webber, një kriminel që kishte pranuar se ka kryer një plaçkitje pak momente para vdekjes, Barbara Dayton, pilote, ndryshe personi i parë që në Washington që ka ndërruar gjininë apo Lin Doyle Cooper, veteran i luftës i cili në Ditën e Falënderimeve më 1971 u shfaq në shtëpinë e tij me lëndime të pashpjegueshme në trup dhe me një shumë të majme për të cilën gjithashtu nuk kishte ndonjë shpjegim.

Megjithatë, dyshohet se personi kryesor si i dyshuar është Richard McCoy Junior, luftëtar i Vietnamit, ekspert i lëndëve shpërthyese që në vitin 1972 rrëmbeu një aeroplan në pothuajse të njëjtën mënyrë dhe mori 500 mijë dollarë.

McCoy më vonë ishte arrestuar, por ishte arratisur me ndihmën e një revole që e kishte bërë nga sapuni. Është vrarë kur agjentët e FBI-së tentuan ta kapin për herë të dytë.

Gruaja e tij më pas ka paditur dy agjentë të FBI-së të cilët në një libër kanë pretenduar se ai ishte D.B. Cooper, kurse ajo bashkëpunëtorja e tij. A ishte vërtetë McCoy apo rrëmbyesi i aeroplanit edhe sot është gjallë dhe nuk dihet asgjë për të – sipas ekspertëve për një gjë të tillë nuk do të dihet edhe për një kohë të gjatë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version