Site icon Telegrafi

Vodhën në një supermarket në Sarandë, njëri prej autorëve ishte tekniku i kamerave

Policia e Sarandës ka zbardhur vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në një supermarket në Sarandë.

Në kuadër të operacionit “Fundviti” ranë në pranga dy shtetas.

Policia ka sekuestruar 400 mijë lekë, 2,500 dollarë dhe 1,000 paund, dy automjetet me të cilat janë larguar autorët pas ngjarjes, 4 telefona celular, 3 pajisje DVR dhe 2 laptop.

Personat e arrestuar janë E. D. (Gj.), 40-vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë në Itali për “Vjedhje” dhe “Dhunë/sulm ndaj forcave të policisë” dhe B. C., 37-vjeç, banues në Sarandë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash, në një supermarket në lagjen nr. 4 në Sarandë, më datë 11.12.2021.

Shtetasi B. C. ka qenë i punësuar si teknik i kamerave të sigurisë në këtë supermarket dhe nëpërmjet telefonit të tij ka kontrolluar shumën e parave që gjendeshin në ambientet e këtij subjekti, informon policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. /Ora News/

Exit mobile version