Telegrafi

Vodhën mallra me vlerë rreth 100 mijë euro nga një depo, prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurve Q.L., dhe D.T., për veprën penale “Vjedhje e Rëndë në bashkëkryerje në vazhdimësi”.

Sipas aktakuzës, nga data e pavërtetuar e në vazhdimësi gjerë me 23.10.2023, në Gjakovë, saktësisht në depon e objektit afarist pronë e të dëmtuarit M.B., të pandehurit duke vepruar me dashje dhe në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, e përvetësojnë pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit.

“Në atë mënyrë që të pandehurit përmes një vrime rreth 1 metër e hapur në mur në pjesën e pasme të dyqanit kanë kaluar në pjesën e depos që i përket të pandehurit Q.L., ku aty kanë hapur një pjesë të murit ndarës që ka qenë e mbyllur me panele druri me vida të cilat kanë qenë të vendosura nga ana e depos së të pandehurit Q.L., ku kanë hyrë në depon e të dëmtuarit dhe nga aty kane vjedhur mallra të ndryshme, të cilat i kanë bartur në dyqanin e të pandehurit Q.L., dhe e kanë mbyllur prapë pjesën e panelit, ku pas një punë operative të policisë një pjesë e sendeve sekuestrohen dhe i kthehen të dëmtuarit, me çka të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material në shumë prej 94,859.75 euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë. /Telegrafi/