Dy persona dyshohet se kanë vjedhur një automjet të një 28 vjeçari mëngjesin e sotëm në Elbasan.
Sipas burimeve të Policisë, bëhet me dije se në momentin që ata janë pikasur nga Policia, nuk i janë bindur urdhërit për të ndaluar dhe janë larguar.
Mësohet se 2 shtetasit e kanë braktisur automjetin pak më vonë, pasi dyshohet se gjatë ecjes makina u përfshi nga flakët.
Ndërkohë Policia vijon punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 02:35, në rrugën e vjetër “Elbasan-Tiranë”, në fshatin Petresh, dyshohet se 2 shtetas i kanë marrë automjetin tip “Ford”, shtetasit R. Ll., 28 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë pikasur automjetin që këta dy shtetas kishin vjedhur dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar, por shtetasi që drejtonte automjetin nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.
Për t’iu shmangur Policisë, 2 shtetasit e kanë braktisur automjetin, pasi dyshohet se gjatë ecjes u përfshi nga flakët, në fshatin Dopaj.
Nga veprimet e para hetimore, si dhe bazuar në informacionet e siguruara, Policia ka krijuar dyshime të arsyeshme për autorët e këtij rasti. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.