Telegrafi

Voca vlerësohet lartë te Luzerni, trajneri e bën zëvendës kapiten të skuadrës

Idriz Voca është duke u zhvilluar me hapa gjigant tek skuadra e njohur zvicerane Luzern.

Fillimisht ishte vetëm një futbollist i akademisë së klubit, pastaj u fut në skuadrën e parë duke pritur rastin.

Por në dy vitet e fundit mesfushori kosovar është bërë shumë i rëndësishëm për Luzernin.

Trajneri Thomas Haberli e ka vlerësuar shumë karakterin e Vocës dhe tani kosovari është zëvendës kapiten i Luzernit.

22-vjeçari pritet të luaj së paku edhe këtë edicion me klubin aktual edhe pse interesim ka shprehur Sassuolo nga Serie A.

Anëtari i Përfaqësueses së Kosovës njëherit është edhe mesfushori defensivë me vlerën më të madhe në kampionatin zviceran (3,3 milionë).

“Personalisht, nuk iu kushtoj rëndësi detajeve të tilla, pasi vetëm dua të luaj futboll. E rëndësishme është për mua që të kem paraqitje të mira dhe të mos merrem me vlerën time”, ka deklaruar Voca për Blick.

Kujtojmë që Voca ka zhvilluar katër paraqitje me Përfaqësuesen A të Kosovës, derisa shihet një futbollist me të ardhme të ndritur. /Telegrafi/