Site icon Telegrafi

Vlorë, mbytet 27-vjeçari në lumin e Vjosës

Një i ri 27-vjeçar nga Fieri, i identifikuar si Denis Gjeka, është mbytur mesditën e kësaj të enjteje në ujërat e lumit Vjosë. Policia e Vlorës, pasi ka marrë njoftimin ka shkuar në vendgjarje dhe ka nisur kontrollin përgjatë lumit, aty ku dyshohet se mund të jetë trupi i të riut.

Policia ka konstatuar se në fshatin Novoselë, në afërsi të një pike të përpunimit të inerteve e quajtur “Lavatriçja e vjetër”, shtetasi 27-vjeçar Denis Gjeka, banues në Fier por punëtor në këtë objekt, dyshohet se është futur në lumin e Vjosës për t’u larë dhe nuk ka dalë më në breg.

Shtetasi në fjalë ka qenë nën shoqërinë e kolegut të tij, punëtor në të njëjtin objekt, i identifikuar me inicialet I.I., 53-vjeçar nga Fieri, i cili ka telefonuar menjëherë sallën operative të Policisë së Vlorës duke kërkuar ndihmë.

Policia kufitare ka patrulluar zonën e grykëderdhjes së Vjosës në det, ndërkohë nga toka ka vepruar Policia e Vlorës, por deri në orët e pasdites trupi i të riut nuk është gjetur. Në kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë të tij priten dhe palombarët e Pashalimanit.

Exit mobile version