Site icon Telegrafi

Vllaznia triumfon ndaj Flamurtarit, ndizet lufta për mbijetesë

Ka startuar java e 18-të në elitën e futbollit kosovar me ndeshjen mes Vllaznisë së Pozhoranit dhe Flamurtarit.

Dy skuadrat që u futën këtë edicion në elitë, kanë zhvilluar ndeshjen e parë të kësaj jave në Superligë.

Fitorja i ka takuar vendasve me rezultat të pastër 2-0 falë një ndeshje tejet të mençur nga vendasit.

Ndeshja nisi mirë për skuadrën nga Pozhorani që rrezikoi dy herë me Festim Alidemën.

Por u desh të pritej minuta e 20-të për të parë golin e parë në këtë sfidë.

Ishte sulmuesi Festim Krasniqi që shënoi për 1-0 duke sjellë gëzim të madh tek vendasit.

Vllaznia shënoi edhe njëherë në pjesën e parë me Festim Alidemën por që u anulua goli për pozitë jashtë loje.

Me epërsinë minimale të Vllaznisë 1-0 përfunduan 45 minutat e para të ndeshjes.

Në pjesën e dytë ndeshja ishte më e qetë pasi edhe terreni i vështirë nuk i lejonte futbollistët të tregonin më të mirën nga vetja.

Goli i dytë për vendasit erdhi në minutën e 79-të, kur shënoi mesfushori Maliq Behluli për 2-0.

Pas kësaj fitore, Vllaznia mbetet në pozitën e fundit me tetë pikë të tubuara, dhe tani me gjasa të mira për mbijetesë.

Ndërkohë Flamurtari është një pozitë më lartë me 11 pikë.

Në ndeshjen e radhës Vllaznia do të jetë mysafire e Lirisë, ndërsa Flamurtari pret Gjilanin. /Telegrafi/

Exit mobile version