Ndeshja hapëse e javës së 26-të në Superligën e Kosovës mes Vllaznisë dhe Lirisë ka përfunduar pa gola 0-0.
Liria e nisi më mirë ndeshjen kur rrezikoi vetëm pas pesë minutave lojë me Mevlan Zekën por që goditja e tij shkoi jashtë portës.
Vllaznia tentoi barazimin e rezultatit në minutën e 24-të me Almedin Muratin por që goditja e tij u prit nga Bakaj.
Krejt në fund të pjesës së parë, Bruti i vendasve pati një rast të mirë kur goditi bukur por edhe me bukur priti portieri mysafir.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Rastin më të mirë Vllaznia e pati në minutën e 56-të, kur Premton Isufi harkoi për mrekulli në zonë por që Kastrati dështoi nga afërsia.
Tre minuta më vonë, futbollisti më i mirë i mysafirëve, Meriton Korenica goditi nga largësia por qëlloi vetëm shtyllën. Mëkat që nuk u shënua një supergol.
Sulmuesi afrikan Toungura i mysafirëve pasi kaloi edhe portierin vendas dështoi të shënonte në portën e zbrazët.
Krejt në fund të ndeshjes Hoxha i Vllaznisë ka mundur t’i japë fitoren skuadrës së tij por shtylla ia mohoi golin.
Liria kësisoj mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 43 pikë të tubuara.
Ndërkohë Vllaznia mbetet në fund të renditjes me vetëm 14 pikë pas 26 ndeshjeve.
Në ndeshjen e ardhshme, Vllaznia e Pozhoranit do të luaj përsëri si vendas me Dritën.
Ndërkohë Liria do të jetë nikoqire e Llapit në Prizren. /Telegrafi/