Site icon Telegrafi

Vllasi: Dënimi i pjesëtarëve të “Syrit të Popullit” parandaloi komplotin e rrezikshëm për Kosovën

Avokati Azem Vllasi, që ishte cak i atentatit nga drejtuesi i organizatës “Syri i Popullit”, Murat Jashari, tha se gjykata sot me vendimin që ka marrë për t’i dënuar shtatë të akuzuarit e kësaj organizate me 41 vjet burgim, përfshirë edhe Jasharin, ka parandaluar komplote të rrezikshme për Kosovën.

Ai tha se rasti i tentim-vrasjes ndaj tij tregon që rreth Kosovës po bëhen të tilla veprime për destabilizim të vendit.

“Me këtë vendim është parandaluar një komplot i rrezikshëm, një tentativë për një ndërmarrje shumë të rrezikshme për Kosovën dhe shqiptarët. Ky është një rast që tregon se rreth Kosovës sillen rreziqe të ndryshme, për tentativa të tilla, për komplote të ndryshme vetëm për destabilizim të vendit”, tha Vllasi, për Klan Kosova.

Lexo po ashtu Shpallen fajtorë dhe dënohen me burg të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit”, tensione në sallë

Për akuzat që u drejtuan ndaj Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës të Vetëvendosjes se janë ideatorë të organizatës “Syri i Popullit”, Vllasi tha se kjo parti duhet distancuar përfundimisht nga këta njerëz dhe organizatë.

“Ndër të akuzuarit ishin disa që janë thirrur në Vetëvendosjen apo përkrahës së të kësaj partie. Nuk do të hyja në vlerësime më të thella, por besoj që Vetëvendosjes do t’i bënte mirë që të distancohej decitivisht nga këta njerëz dhe organizime të tilla sepse është mirë edhe për situatën politike tonën apo pretendimet që kjo organizatë ku shihet që shumë njerëz figurojnë ose simpatizantë të Vetëvendosjes dhe kjo nuk i bën mirë partisë”.

Vllasi tha se e gjithë familja e tij e ka përjetuar rëndë rastin e atentatit që përfundoi pa sukses.

“Unë jam për një vizitë në SHBA te familjarët, por ajo që më ndodhi mua e kemi përjetuar shumë rëndë sepse unë prej këtyre të akuzuarve nuk iu kam bërë asgjë as me fjalë e as me vepra. Jemi të lumtur nëse ka më pak kriminalitet në Kosovë”, tha ai.

Exit mobile version