Ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, ka ngritur padi penale kundër prokurores speciale Katica Janeva dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Gjevgjeli, Zllata Popova, e cila lëshoi urdhër për kontrolle në shtëpinë e tij.
Pançevski mendon se kontrollet në shtëpinë e tij nga ekipi i PSP janë jo ligjore dhe si të tila paraqesin vepër penale, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, por edhe në historinë e Evropës moderne në mënyrë më brutale janë shkelur gjitha ligjet e shtëpisë dhe standardet ndërkombëtare, publikisht në procedurë parahetimore në të cilën ligji nuk lejon kontrolle të cilat gjithashtu janë pjesë e procedurës parahetimore”, shkruan Pançevski në padi.
Gjykatësja Zllata Popova – kryetare e Gjykatës Themelore në Gjevgjeli, sipas padisë së Pançevski është mike e afërt e Katica Janevës dhe në mënyrë të rrejshme ka nënshkruar dokument zyrtar, gjegjësisht urdhër gjyqësor për kontroll.
Në padi Pançevski gjithashtu shkruan se i është shkaktuar dëm material, gjegjësisht sipas tij, në mënyrë joligjore i janë marrë aparate elektronike dhe lëndë tjera dhe dëmin e cilëson në vlerë rreth 300 mijë denarë./Telegrafi/