Menaxhimi i pandemisë me coronavirus dhe kontributi i diasporës nga Gjermania, ka qenë temë e debatit të sotëm në mes profesionistëve shëndetësorë nga Kosova dhe Gjermania.
Në këtë takim virtual mes profesionistëve shëndetësor nga Gjermania, Kosova dhe Shqipëria, janë trajtuar mundësitë, sfidat e bashkëpunimit dhe angazhimin profesional në vendet e origjinës për menaxhimin e situatës me COVID-19 dhe minimizimin e dëmeve shëndetësore.
Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, Marsola Ceno, ka treguar se qysh në fillim të muajit shkurt kanë krijuar ekipet e asistencës, të cilat në mënyrë online kanë ofruar asistencë për të gjithë shqiptarët në Gjermani.
Ajo tha se mjekët shqiptarë që veprojnë në Gjermani, kanë pasur dëshirë që të japin ndihmën e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, e këtë ndihmë ajo tha se deri më tani kanë mundur ta japin vetëm përmes asistencës online.
“Angazhimi nga ana ime personale, por edhe e shoqatës, ka qenë maksimal, sigurisht brenda mundësive kohore, sepse ne jemi të punësuar në sistemin shëndetësor gjerman. Por, ka mbetur brenda në kuadrin e një asistence online, informative shkëmbimi i eksperiencës dhe i të dhënave, ndërsa për fat të keq një ndihmë konkrete në vendet tona deri tani ka qenë e pamundur dhe e pa realizueshme për momentin. Asistenca online që ofruam në momentet e para të pandemisë u prit nga publiku i gjerë me shumë interes”, tha ajo.
Marsola Ceno tha se kanë gjetur mbështetje nga Ministria e Diasporës ku është bërë pasqyrimi i të gjithë punës së Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani.
Për menaxhimin e pandemisë nga Shqipëria ka folur drejtori i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt Erion Dashko, i cili tha se pandemia në Shqipëri është menaxhuar keq, derisa ka kritikuar numrin e vogël të testeve në këtë vend.
“Që kur filloi kjo si sfidë, ne jemi organizuar me shumë kolegë në të gjithë botën dhe i kemi ofruar menjëherë ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë, sepse e kemi parë se kapacitetet fatkeqësisht tonat në Shqipëri, në Kosovë e kam parë që janë pak më mirë, por kapacitetet tona në Shqipëri nuk janë në atë nivel për ta menaxhuar siç duhet epideminë. Ne kemi pasur gjatë kësaj kohe shumë largime nga Shqipëria, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani mund të flasë me shifra konkrete, bëhet fjalë mbi 1 mijë mjekë vetëm nga Shqipëria që ndodhen në Gjermani, ndërkohë që në Shqipëri kanë mbetur rreth 3 mijë mjekë. Pra, bëhet fjalë për një e katërta e mjekëve shqiptarë ndodhet sot në Gjermani, nënkuptohet është pjesa më vitale, kryesisht ata që sapo e kanë nisur karrierën si mjekë ose ata që janë në mes të karrierës… Shqipëria është vendi i fundit në Evropë nga numri i testeve për 1 milion banorë dhe nuk e justifikon me asnjë lloj parametri. Pra, nuk është se jemi vendi më i varfër, nuk është që jemi vendi më i paorganizuar”, tha ai.
Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe zëvendësdrejtoresha në Kolegjin Heimerer, Naime Brajshori, e cila ka folur rreth implementimit të projektit “Reagim për COVID-19”. Ajo tha se pandemia e ka gjetur Kosovën të papërgatitur në resurse humane dhe në pjesën e pajisjeve.
“Pandemia e ka gjetur Kosovën, ashtu si shumicën e vendeve të papërgatitur, qoftë me resurse humane, qoftë me pajisje të tjera materiale, të cilat kanë rënduar sistemin shëndetësor dhe jo vetëm institucionet, klinikat që janë marrë direkt me COVID, por edhe institucionet shëndetësore, të cilat kanë trajtuar pacientë me sëmundje të tjera. Projekti që është fituar nga programi GIZ quhet ‘Reagim për COVID-19’ si thirrje urgjente për institucionet, për t’i mbështetur të gjitha institucionet në botë dhe ka të bëjë me përditësimin dhe përmirësimin e qëndrueshëm të sigurisë së stafit shëndetësor dhe higjienës spitalore në Kosovë… Ky projekt ka për synim të përgatisë staf, resurse humane brenda institucioneve shëndetësore të Kosovës në kujdesin sekondar dhe terciar në spitalet regjionale që të kenë struktura të qëndrueshme, staf i cili trajnon stafin tjetër se si të parandalojë rrezikun nga COVID dhe si të mbrohet stafi nëse ballafaqohet me raste të tilla”, tha ajo.
Brajshori ka bërë të ditur se si kolegj kanë krijuar një qendër terapeutike, e cila ofron shërbime të munguara në vend, ku tha se fëmijët me nevoja të veçanta kanë pasur vështirësi në marrjen e shërbimeve gjatë pandemisë, derisa tregoi se kanë mundësuar që mbi 200 fëmijë të trajnohen me kosto minimale.
Drejtori i Institutit Southeast Europe for Health and Social Policy, Petrit Beqiri, tha se që nga fillimi i pandemisë kanë organizuar ligjërata, tryeza e diskutime online. Derisa i cilësoi si shumë të rëndësishme të gjitha ato organizime, ai tha se nuk e di saktë se sa kanë pasur ndikim në shoqëri ato ligjërata.
“Nuk kemi saktësi në ndikimin, në impaktin direkt të aktiviteteve të tilla dhe rezultateve që krijojnë, mirëpo janë dritare të vetme të cilat kanë mbetur dhe mendoj që kreativiteti tani është pikërisht të gjenden këto dritare dhe të shfrytëzohen deri në maksimumin e tyre për të pasur impakt në shoqëri. Këto që përmenda deri tash janë në rrafshe të ndryshme do të thotë në qasje ndaj ekspertëve, ndaj studentëve, në qasje ndaj grupeve vulnerable dhe këto mendoj që janë mundësitë ekzistuese të cilat duhet të gjinden dhe të shfrytëzohet hapësira e mundshme, një ndër to janë edhe tryezat”, tha ai.
Mjeku Kujtim Pllana tha se janë 12 mjekë nga Kosova dhe se kanë tentuar disa herë të bashkëpunojnë me institucionet në Kosovë, por që nuk kanë gjetur mbështetje.
“Jemi 12 mjekë shqiptarë të Kosovës, kemi tentuar disa herë të bashkëpunojmë ose t’i ndajmë përvojat tona, por ekziston një drojë dhe na shohin si rrezik potencial për qëllimet e veta qoftë në pjesën politike ose në pjesën shëndetësore. Të 12 ne kemi studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe jemi të gatshëm gjithmonë që t’i ndajmë përvojat në mënyrë vullnetare apo të organizuar, por kemi hasur në vesh të shurdhër. Ka qenë një rast më të vërtetë i rëndë dhe kemi dërguar një shef të kirurgjisë vaskulare, i cili ka shkuar në Pejë, e kemi tërhequr prej Indisë. Kur ka shkuar në Pejë bashkë me dy kolegë të mi ka filluar të operojë gjëra që nuk bëhen në Kosovë, pastaj ka marrë një letër në të cilën është thënë që ai nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin se nuk është i akredituar si mjek në Kosovë dhe nëse vazhdon, mund të përfundojë në mënyrën më të keqe”, tha Pllana.
Diskutimi “Menaxhimi i COVID-19 dhe kontributi i diasporës nga Gjermania”, është organizuar nga Germin në bashkëpunim me GIZ./kp/Telegrafi/