Site icon Telegrafi

Vlerësohet anëtarësimi në FMN dhe BB

“Ky anëtarësim i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore e ka fuqizuar konsolidimin e shtetit tonë, i ka hapur perspektivë dhe ka njohur progresin në Kosovë. Presim që gjatë këtij viti Kosova të jetë pjesë edhe e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH)”.

I pari i ekzekutivit të vendit ka vlerësuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes me OPIC si një mundësi shumë të mirë të sjelljes së kompanive dhe investitorëve të fuqishëm amerikanë në Kosovë e gjithashtu edhe për diasporën shqiptaro-amerikane në veçanti.

“Para së gjithash ky anëtarësim dhe kjo perspektivë e sigurt është arritur si rezultat i punës së mirë të bërë në Kosovë, i sundimit të ligjit dhe i një progresi të gjithanshëm që është arritur në vitin e parë të pavarësisë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi

Ndryshe Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar Raportin e Vlerësimit të Menaxhimit të Financave Publike, Shpenzimet Publike dhe Llogaridhënien Financiare.

Ndërkaq, sipas propozimit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kabineti qeveritar ka miratuar listën prej 5 anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe listën prej tre anëtarëve për Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version