Telegrafi

Vlerësimet për Jonida Maliqin pas interpretimit në Eurovision

Jonida Maliqi (Foto: Michael Campanella/Getty Images/Guliver)

Jonida Maliqi entuziazmoi të pranishmit në arenën ku u zhvillua nata finale e Festivalit Evropian të Këngës, Eurovision, në Tel Aviv të Izraelit, me këngën e kënduar në shqip “Ktheju Tokës”, teksa shorti i kishte përcaktuar radhën e dytë nga nisja.

Faqja zyrtare e Eurovisionit në Facebook dha disa sekuenca të interpretimit, vetëm 29 sekonda, shoqëruar me përshkrimin: “Jonida Maliqi na ofroi të gjithë ndjeshmërinë e saj”.

Megjithatë, siç vëren BBC në një analizë të shkurtër pas performancës së këngëtares shqiptare, asnjë vend që ka kënduar i dyti në natën finale të Eurovisionit nuk ia ka dalë mbanë të fitojë kompeticionin.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Jonida Maliqi

“Ky është një lajm i keq për Jonida Maliqin e Shqipërisë, kënga vajtuese e së cilës, ‘Ktheju Tokës’, vështirë se do të tronditë dikë sa për ta votuar në mënyrë të konsiderueshme”, thuhet në komentin e Neil Smith, reporterit të BBC-së nga Tel Avivi.

“Çdo këngë, çdo lot është veç një suvenir i hidhur. Ke humbur identitetin, ndaj kthehu në shtëpi tani”, thoshte mes notave të saj këngëtarja shqiptare, transmeton Top Channel.

Jonida Maliqi (Foto: Guy Prives/Getty Images/Guliver)

Jonida i dha asaj fuqi dhe shqiponja gjigante ishte diçka e gjetur, sipas Neil Smith. Por, ai shton se “kjo nuk duket të jetë kënga që do t’i japë fund shterpësisë 15-vjeçare të Shqipërisë”.

Nga mijëra artistë që regjistruan këngët e tyre, vetëm 26 mbetën në garë për trofeun e sivjetshëm. Sipas parashikimeve, Holanda dhe Australia mund të duelojnë për suksesin.