Site icon Telegrafi

Vlera e punës: Një ditë në Maqedoni, sa një orë në Itali

Në raport me shtetet e Bashkimit Evropian,punëtorët në Maqedoni marrin pagat ndër më të ulëtat në Europë. Statistika europiane tregon se një punëtor tek për një orë punë paguhet bruto 3.2 euro, si shumë e rrogës neto dhe kontributeve pensionale dhe shëndetësore, shkruan gazeta KOHA.

Me këto shifra, Maqedonia renditet ndër shtete me fuqi më të lirë punëtorë në Evropë. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat që tregojnë se në Itali një punëtor fiton 23 euro në orë , ndërsa punëtori në Maqedoni për të njëjtat të holla duhet të punojë tërë ditën.

Me fjalë të tjera mëditja vetëm e një ore pune e një të punësuari në Itali është e përafërt me kompensimin për mundin e një punëtori në Maqedoni për tetë orë pune. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, punëtorët në Bullgari me nga 5 euro dhe në Rumani me nga 5.5 euro bruto paguhen më dobët në BE. Pason Polonia me 6.3 euro, Hungaria me 8.4 ero, Kroacia me 8.5 euro etj për një orë pune. Më së shumti paguhen punëtorët në Luksemburg me 43.8 euro bruto për një orë pune. Pason Danimarka me 38.7 euro, Belgjika me 37.9 euro, Holanda me 33.7 euro dhe Gjermania me 32.3 euro për një orë pune të paguar në vitin 2017 tregojnë të dhënat e EUROSTAT-it, zyrës evropiane të statistikave.

Në ndërkohë, punëdhënësit dhe analistët ekonomik vlerësojnë se rrogat si minimale ashtu edhe mesatare duhet të rriten, por vetëm me kusht shëndoshjes së ekonomisë dhe rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni. Vlerësohet se pagat janë pasqyrë e ekonomisë , pra çfarë ekonomie kemi, të tilla janë edhe pagat që vështirë se mund të rriten dukshëm nëse nuk kemi rritje më të madhe ekonomike , hapje të vendeve të reja të punës dhe fitim më të madh të sektorit privat.

Ekonomistët thonë se tek rritja e pagës një nga faktorët kryesor është produktiviteti i punëtorëve që në Maqedoni është ndër më të ulëtit në Evropë. Teknologjia e vjetër si dhe kuadri që nuk posedon shkathtësi të nevojshme që kërkohen në tregun e punës renditen ndër shkaqet kryesore pse Maqedonia është ndër të fundit në listën e EUROSTAT-it lidhur me produktivitetin e punëtorëve.

Një punëtor në Maqedoni krijon vetëm 43.8 për qind të mesatares së vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në nivel të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë në pagat e ulëta në rajon dhe në Maqedoni ndikojnë edhe perceptimi i lartë i ryshfetit dhe korrupsioni , kapaciteti i ulët i administratës publike, efikasiteti i ulët i gjyqësorit e kështu me radhë.

Gjithashtu edhe shkalla e lartë e papunësisë dhe oferta e fuqisë punëtore më e madhe se kërkesa imponon që punëdhënësit të mund të ofrojnë paga më të ulëta. Ndryshe, ekonomistët vlerësojnë se në nivelin e ulët të pagave ndikojnë edhe pagat e ulëta në disa veprimtari ekonomike siç është tekstili për shembull, pagesa e punëtorëve në të zezë si dhe niveli i ulët i investimeve vendore dhe të huaja. /koha.mk/

Exit mobile version