Telegrafi

VLEN: Me OBRM-PDUKM-në kemi arritur marrëveshje që Afrim Gashin ta propozojmë për kryetar të Kuvendit

Nga VLEN njoftojnë se kanë arritur marrëveshje me OBRM-PDUKM-në që ta propozojnë Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit.

Gashi pritet të votohet në seancën konstitutive që po mbahet sot në Kuvend.

“Grupet punuese të VLEN-it, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve, dhe OBRM-PDUKM-së si fituese e zgjedhjeve, në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë me sukses e kanë përmbyllur harmonizimin e programeve zgjedhore dhe kanë arritur marrëveshje që për kryetar të Parlamentit të propozohet Afrim Gashi.

Ndërkohë njoftojmë opinionin se grupet punuese intensivisht vazhdojnë negociatat për eshalonin e dytë dhe të tretë. Shumë shpejt si shtet do të kemi një qeveri evropiane, e përkushtuar për rritje ekonomike, investime dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve”, thonë nga VLEN.