Site icon Telegrafi

VLEN: Nuk ka më politikanë që mund të pasurohen brenda natës

VLEN në një kumtesë për media akuzojnë BDI për lirimin e Sasho Mijallkovit, ndërsa thonë se nuk do të ketë më politikanë që pasurohen brenda natës.

“Ndajmë të njëjtin vend por jo të njëjtin fat. Gjatë javës së kaluar, kishim mundësi të shohim teksa ish-drejtori i DSK-së dhe i dënuari Sasho Mijallkov të bredh në Monako para një restoranti luksoz me një “Ferrari” me vlerë rreth 700 mijë dollarë. Çfarë do të thotë kjo, që i dënuari bën jetë luksozederisa në burgje vuajnë shumë shqiptarë të pafajshëm. Lirinë e Sasho Mijallkovit nuk e solli babagjyshi i Vitit të Ri, por Artan Grubi, me lejen babagjyshit të Zajazit. Pra, AliAhmeti, me mashën e tij, nongrata Grubin, kanë lëvizur çdo guri që Mijallkov ta gëzojë lirinë”.

“Sikurse krimi dhe korrupsioni që nuk njeh përkatësi etnike, ngjashëm edhe luksi nuk ka kufij etnik. Tani nëse në kampin maqedonas publikisht jetë luksoze jashtë vendit po bën SashoMijallkov, në kampin shqiptar brenda dhe jashtë vendit jetë luksoze po bën nipi i xhaxhait të “fortë” – Drin Ahmeti. Drin Ahmeti si duket nuk i ka për qejfi Ferrarit pasi është parë me një makinë tjetër luksoze Rolls Royce me targa të Kërçovës, e cila kap vlerën rreth 400 mijë dollarë. Pra, po flasim për nipin e Ali Ahmetit, të riun “super inteligjent” për të cilin Prokuroria ka kërkuar ndihmë edhe nga SHBA-ja për transaksionet e dyshimta financiare të tij”.

“Mund ta merrni me mend, po jetojmë në një vend ku politikanët e familjarët e tyre promovojnë jetë luksi derisa qytetarët bëjnë llogari si t’ia dalin me shpenzimet deri në fund të muajit. Ky është nënçmim, keqpërdorim, mashtrim, i qytetarëve derisa pushtetin e fituar me votën e tyre e kanë shndërruar në vatër të pasurimit të familjeve të tyre. Por, fatmirësisht kjo epokë ka marrë fund me ndryshimin e pushtetit. Nuk ka më politikanë që mund të pasurohen brenda natës. Nuk ka më nipa me fat sikurse Drin Ahmeti. Nuk ka më xhaxhallarë sikurse Ali Ahmeti, që i mundësojnë edhe nipërve të jenë pronarë qendrash tregtare”, thonë nga VLEN.

Exit mobile version