Deklaratat e Bujar Osmanit, Talat Xhaferit dhe të tjerëve nga rangu i tyre, janë ndërhyrje klasike e BDI-së, për të ushtruar presion ndaj Gjykatës Administrative dhe kjo është një shkelje e qartë e pavarësisë së gjyqësorit që rrezikon integritetin e procesit gjyqësor dhe zgjedhor, thuhet ne reagimin e sotëm të koalicionit VLEN.
“Konstatimet e KSHZ janë shumë të qarta dhe vërtetojnë atë që ne e themi prej në fillim, që BDI ka kryer parregullsi dhe shkelje të mëdha zgjedhore, me presione shantazhe, kërcënime, tregtime ka manipuluar vullnetin e qytetarëve. Tani me presione ndaj gjykatave po tentojnë të bëjnë përsëri të njejtën.
Populli thotë, ‘Ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron’.
Këto sjellje nuk na befasojnë, i kemi të freskëta presionet ndaj Besa Ademit dhe e dijmë që të tilla deklarata janë më e pakta që ata mund të bëjnë. Siç kanë shkelur çdo vlerë demokratike, me shtypjen e gjyqësorit po e shkelin edhe këtë parim themelor të demokracisë, por kësaj radhe drejtësia do të jetë në anën tonë.
E besojmë fuqishëm. Bëjmë thirrje tek Gjykata Administrative, që të mos ndikohen nga presionet politike por të japin vendimin bazuar në burime e fakte ligjore. Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve, përfshirë gjykatat.
Prandaj, duke vlerësuar se vendimi i KSHZ është një vendim i drejtë i bazuar në fakte të pashmangshme; fakte të cilat rezultuan që vendimi të merret me vota unanime nga të gjithë anëtarët e KSHZ-së, e bëjnë këtë vendim edhe më të qëndrueshëm e të fuqishëm./Telegrafi/