Telegrafi

VLEN: Jemi Po për zhdukjen e Lojrave të Fatit

Nga koalicioni VLEN kanë deklaruar se falë politikave të gabuara dhe të papërgjegjshme të BDI-së lojërat e fatit kanë hyrë në çdo shtëpi përmes internetit, duke thelluar edhe më shumë dëmet sociale dhe ekonomike nga objektet e kazinove që janë të pranishme në çdo cep.

“Me justifikimin nga Komisioni legjislativ dhe juridik të kërkesës sonë për intepretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, jemi një hap më afër vërtetimit të asaj që e kemi thënë çdo herë si koalicion VLEN, se nuk do të lejojmë që për interesa personale dhe afariste të disa individëve të prishet gjithë shoqëria. A jemi për zhdukjen e plotë të kësaj sëmundje?

Absolutisht PO!. Megjithatë BDI dhe satelitët e saj duke krijuar stërkëmbeza në sistem, po e vonojnë përballjen e plotë me këtë sëmundje shoqërore”, deklaroi Fari Hiseni nga VLEN.

Ai ka shtuar se BDI-ja vepron si një organizatë kriminale, e cila, sipas tij, për të mbrojtur ish-funksionarët e saj të korruptuar, mendon në mënyrë destruktive.

“Ne kemi kohë që pohojmë se ideja e tyre është t’i bëjnë shqiptarët pengje në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë gjyqësore për plaçkitjen që i kanë bërë popullit gjatë 22 viteve të regjimit të tyre. Prandaj, për sa kohë që nuk reformohen në mënyrë programore dhe kadrovike, ata nuk do të mund të jenë një konkurrencë reale politike.

Shqiptarët nuk do të lejojnë që kjo udhëheqje e kriminalizuar e BDI-së t’i nënvlerësojë ata. Ata e dinë se Ahmeti, Grubi, Osmani, Merko, Bekteshi dhe kompania e tyre nuk kanë aspak interes për Marrëveshjen e Ohrit, por kujdesen vetëm për kapitalin e tyre të fituar në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar më tej Hiseni.