Telegrafi

VLEN: Bexheti dhe Arsovska po deshqiptarizojnë administratën e Qytetit të Shkupit

Koalicioni VLEN sot ka akuzuar BDI-në dhe kryetaren e qytetit të Shkupit se po deshqiptarizojnë administratën e pushtetit lokal.

“Bexheti dhe kryetarja më e padëshiruar dhe e dështuar e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, kanë shkuar edhe më larg. Në etjen e tyre për pushtet, ata po bëjnë çmos për të deshqiptarizuar administratën e Qytetit të Shkupit. Falë tyre, shqiptarët, të cilët përbëjnë më shumë se 22% të popullsisë së qytetit, janë krejtësisht të përjashtuar nga pushteti lokal. Gjithashtu, nga 92 pozita drejtuese në administratë, vetëm 8 janë të plotësuara nga shqiptarë.

Gjendja është edhe më alarmante në ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit. Përveç Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale,” ku shqiptarët kanë një përfaqësim minimal, në gjashtë ndërmarrje kryesore, si NP “Parqet dhe Gjelbërimi”, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, NP “Ndërmarrja e Komunikacionit”, NP “Parkingu i Qytetit”, NP “Rrugicat dhe Rrugët”, NP “Drislla”, shqiptarët zënë vetëm 5.5% të pozicioneve udhëheqëse”, thonë nga VLEN.

Për 22 vite, shtojnë nga atje, BDI-ja ka shkatërruar çdo mundësi për përparimin e shqiptarëve në Shkup dhe më gjerë./Telegrafi/