Telegrafi

VLEN: BDI dhe LSDM janë të lexuar, ne nuk do të lejojmë miratimin e Ligjit të branitellave

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj BDI-së për reagimin që këta të fundit e patën për Ligjin e Branitellave.

Nga VLEN fajësojnë për këtë ligj BDI-në dhe LSDM-në të cilët sipas koalicionit shqiptar në qeveri, me vite kanë luajtur lojëra ndëretnike.

Reagimi i plotë:

Deklarata e Blerim Bexhetit është një konfirmim se sponsorizuesi kryesor i propozimit të sotëm të LSDM-së është BDI. Ligji i branitellave është shkruar në Reçicë të Vogël dhe i është dhënë LSDM-së për zbatim me qëllim të vetëm – të shkaktojë tensione ndëretnike.

Opozita maqedonase dhe shqiptare po tërheqin lëvizje nga frika e ndjekjes penale për korrupsion politik. Imagjinoni, pas 7 vjetësh në pushtet dhe fuqinë për të zgjidhur çështjet e hapura, tani në 100 ditët e para vendosën të abuzojnë me vitin 2001 për të mbrojtur pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. Blerim Bexheti, në vend që të luajë rolin e naivit, le ta pyesë Talat Xhaferin për procedurat parlamentare, pasi ai udhëhoqi procesin e krijimit dhe miratimit të kësaj Rregulloreje në mandatin e mëparshëm të deputetëve.

Koalicioni VLEN nuk do të lejojë miratimin e Ligjit të branitellave nëse ai nuk është në paketë me Ligjin për zgjidhjen e statusit të luftëtarëve të UÇK-së. Manipulimet e BDI-së janë të lexuara dhe askush më nuk bie në kurthet e tyre. Nuk ka ikje nga përgjegjësia!

Kujtojmë se edhe në përbërjen e kaluar parlamentare u votua rendi i ditës për të njëjtin ligj, i cili hyri në procedurë kuvendore, kur u
shkarkuan edhe ministrat e Aleancës për Shqiptarët. Pra, kjo nuk është hera e parë që ky ligj hyn në procedurë parlamentare, por rezultati do të jetë i njëjtë.