Telegrafi

VLEN me akuza të reja korruptive ndaj Elmi Azirit

Koalicioni Vlen edhe sot në konferencë për shtyp vazhdoi me publikimin e informatave për tenderë në lidhje me kompaninë e familjes së deputetit Elmi Aziri nga Fronti Evropian.

“Dje publikuam informata për tenderët, të cilët kompania me lidhje familjare e deputetit Elmi Aziri i ka fituar nga Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie me bashkësitë, gjatë kohës së logjistikut kryesor të BDI, Artan Grubi. Sot, vazhdojmë me publikimin e informatave të reja se si kompania e njëjtë, pronari i së cilës është nip i bashkëshortes së deputetit Elmi Aziri, ka fituar tenderë nga Komuna e Likovës, nga Shkolla e mesme “Ismet Jashari” në Likovë, nga gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë dhe IPSH – Shtëpia e Shëndetit – Kumanovë”, theksoi Bujare Abazi nga Koalicioni VLEN në konferencën e sotme për shtyp.

Këtyre katër tenderëve, kompania RITRON KOPI DOOEL- import -eksport Kumanovë, u ka dhënë ofertë për furnizim të pajisjeve kompjuterike, për të cilat i është kryer pagesë rreth 1 milion denarë.

“Këto të dhëna janë tregues i qartë se pavarësisht nga vlera e furnizimeve, pa aminin e BDI, asnjë kompani nuk mund të fitojë asnjë denar.  Është e qartë se BDI ka sunduar si strukturë mafioze e cila nuk është përmbajtur nga abuzimi me mjetet financiare të popullit, për realizimin e ndikimit politik”, theksoi Abazi.

Në rrjetin e BDI, janë ngjitur të gjithë politikanët “që e konsiderojnë politikën edhe si mundësi për pasurim personal dhe familjar”.

“Andaj, e inkurajojmë udhëheqësinë e opozitarëve të Frontit Europian, ti japin shpjegim të mirë anëtarësisë, arsyen për dyshim për korrupsion politik të funksionarëve të mëparshëm të Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës”, porositi Abazi.