Përfshirja e lumit të Vjosës në listën e pasurive botërore. Ky është synimi i radhës për ekosistemin e Vjosës, një nga lumenjtë pakët qe ende mbajnë shtratin e tij origjinal në Evropë.
Për këtë mundësi, sot drejtoresha e përgjithshme e Komitetit për trashëgimi botërore UNESCO, Audrey Azoulay, me ftesë të ministres se Turizmit Mirela Kumbaro, vizitoi Vjosën si dhe qytetin e Gjirokastrës, nga viti 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s.
“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.
Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht. /Telegrafi/