Site icon Telegrafi

Vjen reagimi i Qeverisë së Kosovës pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetari të PDK-së, Kadri Veseli nga Gjykata Speciale.

Sipas njoftimit, Qeveria thotë se, beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Specialja konfirmon aktakuzën edhe ndaj presidentit Hashim Thaçi

Qeveria konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

Lexo po ashtu Kadri Veselit i konfirmohet aktakuza nga Specialja

“Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, përfundon njoftimi.

Kujtojmë se, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/

Exit mobile version