Sot (e diel) Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) befasoi të gjithë kur bëri publik lajmin se kanë marrë vendim për përjashtimin e tre futbollistëve nga grumbullimi i ndeshjeve të shtatorit.
Bëhej fjalë për Arijanet Muric, Edon Zhegrovën dhe Florent Muslijën të cilët janë lënë jashtë grumbullimit të Kosovës dhe për këtë arsye nuk do të marrin pjesë në ndeshjen e nesërme ndaj Qipros.
Sipas asaj që u raportua në media, mbrapa këtij vendimi të FFK-së qëndron fakti se lojtarët dyshohet se kishin qëndruar vonë në një klub nate në Prishtinë.
Pas këtyre zhvillimeve, fillimisht kishte reaguar portieri Muric, ndërsa tani ka reaguar edhe Edon Zhegrova përmes rrjeteve sociale.
“Përshëndetje të gjithëve, këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte. Unë do të flas në fushë, shihemi së shpejti”, ka shkruar Zhegrova në Instagram.
Nga FFK-ja ende nuk ka pasur ndonjë sqarim sa i përket arsyes së vërtetë të përjashtimit të futbollistëve, ndërsa kujtojmë se ‘Dardanët’ tashmë kanë marrë rrugë për në Qipro, aty ku do të zhvillojnë nesër (e hënë) ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve./Telegrafi/