Mbrojtësi anësor i Feronikelit, Përparim Islami, në duel me Ballkanin, në ndeshjen e vlefshme për Digitalb Kupën e Kosovës pësoi një dëmtim që po del të jetë i rëndë.
Islami që u zëvendësua në pjesën e dytë ka lënduar ligamentet e gjurit dhe do të futet në operim. Ai bëhet lojtari i parë që pëson dëmtim të rëndë pas rikthimit të futbollit në Kosovë, pas bllokimit nga pandemia e coronavirusit.
“Që në fillim e pash që ishte një lëndim i rëndë. Provova të luaja por e pash se e kisha të pamundur”.
“Sot jam kontrolluar në detaje dhe më duhet të futem në operim pasi dëmtimi është i rëndë”, ka thënë Islami për Telegrafin.
Njëri prej futbollistëve më cilësor në vitet e fundit në futbollin tonë, beson që do të rikthehet edhe më i fortë pas operimit.
“Do të mungojë deri në fund të vitit, por besoj që do të jem gati për dhjetor. Futbolli këto i ka edhe lëndimet”.
“Do të punoj që të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për këtë kam besim. Shpresoj që Feronikeli edhe pa mua të arrijë objektivat që i kemi vërë vetës”, përfundoi Islami.
/Telegrafi/