Më shumë përmbytje kanë shkatërruar qytete në Austri, Bavari dhe Gjermaninë Lindore, ndërsa kryesori për të zëvendësuar kancelaren, Angela Merkel, u detyrua të kërkojë falje për një gjest të tij.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Armin Laschet, i cili ka nxitur reagime të shumta pasi u kap në kamera duke qeshur, derisa gjendej në një qytet të shkatërruar nga përmbytjet.
Ndërsa po vizitonte qytetin e shkatërruar të Erftstadt, aty ku një gurore e gërryer e zhavorrit kishte gëlltitur makina, copa rruge dhe ndërtesa të tëra, Laschet ishte kapur të shtunën “duke ndarë shaka” me kalimtarët ndërsa presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, iu drejtua kamerave.
Lars Klingbeil, sekretari i përgjithshëm i partisë Social Demokrate të qendrës së majtë (SPD), e quajti sjelljen e Laschet “mungesë të mirësjelljes”.
Ndërkohë që transmetuesi WDR komentoi se çdo fushatë zgjedhore ofronte disa momente “në të cilat kandidatët tregojnë ngjyrat e tyre të vërteta”, duke shtuar: “Sot është një moment i tillë”.
Dhe sigurisht pas reagimeve ka ardhur edhe reagimi i Laschet, i cili përmes Twitter kërkoi ndjesë të shtunën pasdite.
“Fati i të prekurve, për të cilët kemi dëgjuar në shumë biseda, është i rëndësishëm për ne”, shkroi ai. “Kështu që pendohem edhe më shumë për përshtypjen që lindi nga një situatë bisede. Kjo ishte e papërshtatshme dhe më vjen keq”.
Ndryshe, kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar zonat e shkatërruara nga përmbytjet në vend të dielën ndërsa numri i të vdekurve në Evropën Perëndimore u ngjit në mbi 180.
Ajo premtoi se “qeveria federale dhe rajonet do të veprojnë së bashku për të rivendosur gradualisht rendin” në zonat e shkatërruara. /Telegrafi/