Telegrafi

Vjen edhe reagimi i Unikkatil, në përkrahje financiare për Shqipërinë

Unikkatil

Edhe reperi i njohur shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Amerikë, Unikkatil ka ofruar ndihmën e tij morale e financiare, në këto ditë të rënda për gjithë popullin shqiptar.

E gjithë kjo pas tërmetit që ndodhi mëngjesin e së martës, teksa ka shkaktuar viktima dhe të lënduar në Durrës e Thumanë si zonat më të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Së fundmi, me anë të një postimi të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, ka bërë të ditur se në koncertin që do të mbajë në Zvicër më 30 nëntor, do të dhurojë pesë franga nga çdo biletë të koncertit e po ashtu pesë të tjera do i dhurojë nga ana e tij.

“Më dhemb zemra për katastrofën që i ka ndodhur shtetit amë, Avalon do t’i dhurojë pesë franga nga çdo biletë të koncertit më 30 nëntor për ndihmë. Unë po ashtu do t’i shtojë pesë franga për çdo pesë franga”, ka shkruar mes të tjerash ai.

Lexo po ashtu Unikkatil paralajmëron koncert në Zvicër për festën e Pavarësisë

Ndërkohë, Viktor Paloka (emri i vërtetë i Unikkatilit), do të rikthehej me këtë koncert për nder të festës së pavarësisë së Shqipërisë.

Siç raportohet deri më tani, rreth 40 persona humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë të martën.

Viktimat më të shumta janë shënuar në Thumanë aty ku u shembën totalisht tre pallate. 21 jetë të humbura kryesisht familjarë me njëri-tjetrin, ndërsa në Durrës janë 14 viktima. /Telegrafi/