Site icon Telegrafi

Vjedhje si nëpër filma, veturës në lëvizje ia thyen xhamin dhe ia merr çantën më gjësende që kapin vlerën e 7 mijë dollarëve

Një vjedhje e pazakontë por e ngjashme me skenat e filmave të Hollyoodit, është kapur në San Francisco nga një kamerë që ishte e vendosur brenda një veture.

Videoja e postuar në Twitter nga përdoruesi @amegregan5, shfaq një Honda të zezë që ndalet pas një Priusi me ngjyrë të hirtë që ishte ende në lëvizje, transmeton Telegrafi.

E në një moment kur e zvogëlon shpejtësinë Prius, nga Honda del një burrë i cili pa u menduar dy herë e thyen xhamin e bagazhit dhe nxjerr një çantë.

Gjithçka zhvillohet brenda shtatë sekondave, e derisa personat që ishin në veturë dhe ishin viktimë e vjedhjes dalin nga mjeti, hajni largohet nga vendi i ngjarjes sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe.

Mediat amerikane raportojnë se brenda çantës kishte pajisje për kamera dhe dron që kapin vlerën e 7 mijë dollarëve, kurse pronarët e tyre janë të bindur se ata ishin përcjell nga hajnat dhe e dinin me saktësi se çfarë kishte brenda.

Është interesant se ngjarja ndodh në mes të një rruge të mbushur me vetura tjera dhe atë në mes të ditës, kurse deri më tani nuk dihet asgjë për fatin e hajnit që largohet “me shpejtësi të dritës”. /Telegrafi/

Exit mobile version