Policia e Shtetit është njoftuar për një vjedhje të mbetur në tentativë gjatë orëve të para të mëngjesit në një institucion financiar në Tiranë.
Siç thuhet në njoftim Policia i ka ndërmarr të gjitha veprimet e para hetimore në vendngjarje, gjersa ka publikuar fotografi të të dyshuarve.
“Ditën e sotme, më datë 06.01.2024, jemi njoftuar për një vjedhje, të mbetur në tentativë, gjatë orëve të para të mëngjesit, në zonën e shërbimit 24/7 të klientëve, në një institucion financiar në kryeqytet.
Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje, janë sekuestruar pamjet filmike me fotot e autorëve të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se Policia fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5,000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do t’i çojë në kapjen e autorëve.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit +355 69 41 55 554, dhe +355 69 41 12 208 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/