Site icon Telegrafi

“Vjedhja e shekullit”: Hajnat përdorin “armatim lufte”, vjedhin rreth 40 milionë dollarë, para të gatshme (Foto/Video,+18)

Një grup prej rreth 50 sulmuesish të armatosur besohet të kenë vjedhur një shumë prej rreth 40 milionë dollarëve nga një firmë e sigurisë.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, katër persona u vranë në atë që është quajtur “vjedhja e shekullit” dhe nga operacionet e mëvonshme të policisë.

Banda, që nga policia besohet të ketë të përfshirë anëtarë të njohur të bandës së drogës “First Capital Command”, kishin në shënjestër selinë e PROSEGUR, një kompani e sigurimit e specializuar në transportimin e parave të gatshme në qytetin paraguajan të Ciudad del Este.

Gjithashtu thuhet se një eksploziv shpërtheu duke hapur pjesën e përparme të objektit, duke vrarë një polic i cili ishte në roje, raportojnë mediat e huaja.

Policia tha se “arka” ishte e mbushur e plotë dhe mund të mbante deri në 40 milionë dollarë në para të gatshme, por shuma e vjedhur është ende për t’u konfirmuar.

Autoritetet kanë thënë se bëhet fjalë për njerëz të veshur me maska të cilët flisnin portugalisht, përcjell Telegrafi.

Policia u pengua për tu përgjigjur kur banda “bllokoi ata” me anë të 19 makinave, eksplozivëve dhe një raketahedhës, “betejë” nga e cila firma mbeti pa ndihmë për dy orë të tëra.

“Ambientet e firmës së sigurisë janë shkatërruar dhe sulmi ka shkaktuar kaos dhe terror në qytet”, ka thënë Justo Zacarias, guvernatori i Alto Paraná.

E Ministria e Brendshme e Paraguajit ka publikuar imazhet e armëve të përdorura në sulm.

Banda besohet se kanë shpëtuar duke përdorur kamionë të blinduar që i përkisnin firmës, para transferimit në një anije në lumin Parana.

Ministria e Brendshme paraguaiane ka thënë se një tjetër konfrontim ka ndodhur përtej kufirit në jug-perëndim të Brazilit, disa orë pas ngjarjes në Paraguaj.

Bëhet e ditur gjithashtu se një operacion i përbashkët mes policisë paraguaiane dhe asaj braziliane vranë tre prej sulmuesve dhe kanë arrestuar katër persona të dyshuar. /Telegrafi/

Exit mobile version