Shtëpia e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi është bërë cak i një grabitjeje të martën në ora 3 e 15 minuta.
Persona të panjohur kanë arritur të futën në shtëpinë e tij, derisa Policia ka qenë duke e ruajtur atë. Kryeprokurori së bashku me familje kanë qenë duke fjetur në katin e dytë të shtëpisë.
Hajnat kanë marrë vetëm një telefon Samsung të kryeprokurorit që ndodhej në dhomën e ndejës, derisa nuk kanë prekur asgjë në shtëpi. Në dhomën ku është vjedhur telefoni, ka pasur kompjuter, laptop, televizor e pajisje tjera teknike. Asnjëra prej tyre nuk është prekur.
Kryeprokurori i Shtetit, i ka treguar Insajderit për këtë vjedhje të cilën e ka cilësuar si shumë të dyshimtë. Ai nuk po beson që personat që i janë futur në shtëpi, kanë pasur qëllim vjedhjen, por kanë kërkuar diçka tjetër që mund të lidhet me punën e tij.
“Unë me familje kemi qenë në katin e dytë. Dikush ka thyer dy dyer të shtëpisë dhe është futur në dhomën e ndenjës. Aty kanë marrë vetëm një telefon timin të cilin nuk e kam përdorur që një kohë. Policia ka qenë tek shtëpia ku qëndron 24 orë në ditë”, ka treguar kryeprokurori.
Lumezi e ka quajtur këtë incident si shumë të dyshimtë, për shkak se personat që janë futur brenda nuk kanë marrë asgjë tjetër pos telefonit.
“Nëse kryeprokurorit i futet dikush në shtëpi në kohën që ruhet nga Policia, kjo është shumë e dyshimtë”, ka thënë ai për Insajderin.
Policia e Kosovës ka thënë se sot në orët e hershme të mëngjesit ka pranuar një informacion nga B. L., se në rrugën “Xhevat Qena” në Prishtinë, në një shtëpi private, ka ndodhur një vjedhje.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet e nevojshme policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht po vazhdojnë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të personit – personave të dyshuar si dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë./Insajderi/