Pamjet filmike të një kamere të instaluar në dhomën e kasafortës së bankës, janë prova kryesore e policisë dhe prokurorisë së Tiranës.
Filmimet e regjistruara nga kjo kamerë tashmë janë sekuestruar me urdhër të prokurorisë.
Sipas burimeve nga policia, në këto filmime njëri nga autorët e vjedhjes duket qartësisht në pjesën e fytyrës, pasi është kthyer në pjesën ballore të saj.
Aktualisht hetimet janë përqendruar pikërisht në këtë moment me shpresën e identifikimit të shpejtë të autorit, që është fiksuar nga filmimet e kamerës, shkruajnë mediat shqiptare.
“Në këtë drejtim po punohet shumë me ekspertë të laboratorit të policisë shkencore dhe oficerë të policisë kriminale, me qëllim identifikimin e këtij personi”- thanë burimet pranë grupit hetimor.
Ndërkohë dyshime të forta janë ngritur prej hetuesve se në këtë ngjarje mund të ketë gisht ndonjë prej punonjës ose ish-punonjësve të bankës, që mund tu ketë dhënë informacion grabitësve lidhur me koordinatat e sakta të vendndodhjes së kasafortës së bankës në ish-bllok.
Nuk ra alarmi
Megjithëse dy personat kanë punuar me mjete të rënda për çarjen e murit dhe më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme të kasafortës së bankës, sistemi i sigurisë i kësaj banke nuk ka funksionuar.
Në momentin kur kanë hyrë autorët, alarmi nuk ka punuar dhe nuk është aktivizuar, duke lejuar autorët të punojnë dhe vjedhin të qetë.
Nëse do të aktivizohej sistemi i alarmit, atëherë menjëherë sinjalin e parë do e kishte marrë policia e sigurimit që banka ka kontraktuar.
Më pas ajo do njoftonte policinë e Tiranës, e cila mund të kishte marrë masat e nevojshme për neutralizimin e menjëhershëm të autorëve të krimit. Por mosrënia e alarmit si para hyrjes, edhe në dalje, solli dhe largimin me qetësi dhe pa shumë zhurmë të autorëve të krimit.
Muri i amortizuar
Ajo që kanë vënë re hetuesit është fakti se muri i bankës është çarë në një pjesë ku ai ka qenë thuajse tërësisht i amortizuar dhe se ishte tërësisht i kalbur.
Ndërkaq ekspertët në vendin e ngjarjes, përveç skemës janë përpjekur të gjejnë gjurmë të ndryshme që mund të ndihmojnë hetuesit në identifikimin e autorëve të mundshëm.
Kjo skemë vjedhje është e disata herë që kryhet në Shqipëri, ku autorët shfrytëzojnë ambientet e bizneseve që janë ngjitur me bankat, duke hapur tunele apo çarë more me qëllim vjedhjen e parave në kasaforta.
Fotografia kryesore: ILUSTRIM